Loading…

Mes sfidës së koronavirusit dhe dhimbjes së humbjes së 15 anëtarëve në luftë: Kjo grua është heroinë

  • 26/03/2020 | 11:02

Mes sfidës së koronavirusit dhe dhimbjes së humbjes së 15 anëtarëve në luftë: Kjo grua është heroinë

Blerta N. Gashi është njëra nga ata qindra fëmijë në Kosovë që ka humbur familjen nga serbët në vitet ’89-99. Por, pavarësisht dhimbjes së saj, Blerta sot në përvjetorin e tyre nuk do të shkojë të varret për t’u dërguar nga një lule, sepse ajo po qëndron në shtëpi duke sfiduar koronavirusin dhe në asnjë mënyrë nuk dëshiron të rrezikojë as veten dhe askëndë tjerër, shkruan Gazeta Metro.


Blerta është nga fshati Krushë e Madhe në Rahovec, dhe është dëshmitare nga masakra që kanë kryer kriminelët serbë në fshatin e saj, duke humbur 15 anëtarë të familjes.

Pavarësisht, dhimbjes së saj Blera do ta respektoj vendimin e qeverisë të qëndrojë në shtëpi, duke ruajtuar veten dhe të tjerët.

Bëhu edhe ti si Blerta.

Më poshtë ju sjellim shkrimin prekës të saj, përmes së cilit ka shpalosur historinë e familjes, dhe mes rreshtash ka ftuar që të rrini në shtëpi, dhe të luftoni koronavirusin.

Ky është mesazhi i saj:

Unë, as sot s’kam me dal edhe pse SOT kam përvjetorin e vrasjes së 15 anëtarëve të familjes, në Krushë të Madhe, unë do mbyllem brenda, edhe pse varret, rrugët, shtëpitë ku u vranë sot kanë pritur vizitorë- këta pak të gjallë që kemi mbetur.

Është hera e parë që prej 21 viteve që Krusha sot hesht dhimbshëm. Sot, dora-dorën nuk shtrëngon, sytë përlotur vështrimin më se hedhin te tjetri për t’ia pashitur dhimbjen e mallin, varret sot ftofshëm rrijnë qetazi pa tufa lulesh e lotësh mbi.

Edhe pse shtëpisë së Babës s’ka kush sot t’ia çel derën, UNË S’KAM ME DAL ( unë jam e vetmja prej 4 anëtareve femra të familjes që jetoj n’Kosovë, nanën e motrat i kam t’ngujume në Itali e Gjermani vëlla s’më dha jeta, babin ma mori lufta … oborret t’shkretnueme na kanë mbet – të rinjtë na i mori lufta, fëmijët gurbeti, pleqt ngujuem i kryejnë n’vetmi vitet e jetës tuj mallku luftën që ua mori bijtë)… … … …

Unë s’kam me dal – edhe pse na presin kujtimet e f’minisë me i trazue si çdo vjet, unë sot kam vendosur edhe pse me ndjenja të përzieme – UNË S’KAM ME DAL!

Por, JO për tu qëndruar besnik vendimeve që marrin Ata, se dalldia e tyre për pushtet na e përdhosi Lirinë derisa Ata ç’fryejnë mllefet partiake a personale duke bërë veprime çoroditëse në interesin e tyre individual pa qarë kokën për ne e për ditë si kjo.

UNË S’KAM ME DAL për hir të jetës së re që kam nisur, për hir të familjes së re që ma dha dorën atëherë kur jeta më rrëzoi përtokë. Për hir të një krahërori në të cilin kam qarë me dënesë netëve të pagjuma.

UNË S’KAM ME DAL për hir të shëndetit të fëmijëve të mi, të cilët janë e vetmja fije e shpresës për një të ardhme të ndritshme.

Prandaj, me fjalët që më lidhen në fyt nga dhimbja për të vdekurit, unë për hir të të gjallëve do të #RriNshpi.

Mes kujtimesh dhe mallit që s’matet me asgjë unë në heshtje kujtoj 26 marsin e vitit 1999, brenda n’shpi, larg Krushës, duke i ledhatu qetazi kujtimet e babës së vrarë, të kushërinjëve, dajëve e nipërve e të qindra krushjanëve të mi të dashtun!

UNË S’KAM ME DAL (edhe nëse vuaj) – ju vendosni vet!

Jeta duhet të vazhdoj- prandaj duhet me i sakrifiku momentet jo për veten, por, për të tjerët të cilët i kanë sytë dhe shpresat te ne!

Shënim:

Masakra e Krushës së Madhe është një nga masakrat që kreu Ushtria Serbe gjatë Luftës së Kosovës mbi popullatën civile në Kosovë. U zhvillua më 25 Mars 1999 në fshatin Krushë e Madhe, në afërsi të Rahovecit, një ditë pas fillimit të bombardimeve të Jugosllavisë nga NATO dhe la rreth 105 të vrarë./gazetametro.net

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë