Loading…

Mbi Fishtën

  • Nga

  • BLERIM LATIFI

  • 23/10/2019 | 23:42

Mbi Fishtën

Sot e pashë që shumë njerëz, në faqet e tyre në facebook, e paskan përkujtuar Gjergj Fishtën, i cili është lindur me 23 tetor. Padyshim Fishta është një intelektual dhe shkrimtar shumë i rëndësishëm në historinë e kulturës shqiptare, rreth të cilit është debatuar e polemizuar vazhdimisht gjatë shekullit të kaluar. Kryesisht këto polemika janë zhvilluar brenda kordinatave ideologjike të së majtës e së djathtës. Komunistët e kanë kritikuar, sharë e mohuar Fishtën dhe veprën e tij. Në rrafshin letrar e kanë akuzar si poet i idealizimit të vlerave arkaike të popullit shqiptar, e në rrafshin politik e kanë akuzar si bashkëpunëtor të fashizmit.


Shkruan Blerim Latfi

Në anën tjetër nacionalistët e kanë bërë të kundërtën: për ta Fishta është një poet nga më të mëdhenjtë e kombit shqiptar dhe intelektual që i shërbeu me besnikëri kombit të tij, deri në frymën e fundit.

Sot ne kemi nevojë ta shohim Fishtën përtej këtyre dy pozicioneve, atij të mohimit dhe atij të glorifikimit.
Si të gjithë intelektualët dhe shkrimtarët e tjerë, Fishta nuk mund të dilte jashtë kohës së tij, sepse, siç thotë Hegeli, si individët ashtu edhe filozofitë janë fëmijë të kohës së tyre. Njerëzit nuk mund të dalin jashtë kohës së tyre, njësoj siç nuk mund të dalin nga lëkura e tyre. Vepra e Fishtës, në thelbin e saj, është përpjekje për të dhënë përgjigjje në pyetjet dhe dilemat e kohës në të cilën ai jetoi. Ai ishte një klerik nacionalist që donte t’i shihte shqiptarët pjesë të Evropës, si një komb i lirë dhe i emancipuar. Në këtë kontekst ai shqetësohej dhe shkruante kundër të gjithë atyre që mendonte se ishin kundër këtij qëllimi. Këtu e ka burimin fryma antisllave në veprat e tij, sidomos tek Lahuta e Malsisë. Si një nacionalist i kultivuar Fishta e kuptonte se lufta për territore në Ballkan, nuk bëhej vetëm në rrafshin politik dhe ushtarak, por edhe në atë kulturor e letrar. Të gjithë popujt e Ballkanit kishin krijuar eposet e tyre nacionaliste, për t’i legjitimuar kulturalisht ambiciet e tyre territoriale. Fishta e shkroi Lahutën e Malsisë, si kundërpërgjigjje ndaj këtyre eposeve. Në këtë mënyrë ai u bë një intelektual që i shërbente kombit të vet në luftën kulturore me kombet tjera. Si një nacionalist shqiptar, ai ishte antisllav. Si një klerik katolik ai ishte antikomunist. Këto dy pozicione e bënë atë që të afrohet me fashizmin, i cili, poashtu, ishte antisllav dhe antikomunist. Ky afrim do ta shtyj atë pastaj drejt pozicionit të një intelektuali me prirje antidemokratike dhe antiliberale. Kështu hyrjen e ushtrisë gjermane në Paris ai e përshëndet si goditje të merituar ndaj demokracive dhe ideve të Revolucionit Francez të vitit 1789, ndërsa tek figura e Musolinit dhe Hitlerit sheh dy gjeni të njerëzimit. Natyrisht, ky vlerësim është dhënë para maskrave të mëdha që kryen nazizmi gjerman dhe fashizmi italian, gjatë Luftës së Dytë Botërore. Vetë Fishta vdiq para se bota të merrte vesh për Holokaustin, ndërsa indiferenca e tij ndaj çështjes hebreje shpjegohet me faktin se Fishta kishte një botëkuptim katolik, brenda të cilit, gjatë historisë, shumë herë janë shfaqur sentimentet anti-semite. Shikuar në përgjithësi, kjo lëvizje ideologjike e Fishtës mund të kuptohet nisur nga fakti se nacionalizmi shqiptar ishte sponsorizuar për një kohë të gjatë nga Austro-Hungaria dhe vetë albanologjia, pjesë e të cilës ishte Fishta, ishte një produkt i investimit gjerman. Pa Austro-Hungarinë dhe Gjermaninë, Shqipëria në vitin 1913 vështirë se do të njihej si shtet i pavarur.

Fishta ishte i bindur se mbështetjën, të cilën dikur shqiptarët e morën nga Gjermania, Austro-Hungaria, dhe në një masë edhe nga Italia, do ta merrnin përseri në kushtet e një rendi evropian të dominuar nga këto shtete. Të njëjtën pikëpamje e kishin edhe nacionalistët e tjerë shqiptarë dhe këtu qëndron shkaku madhor pse nacionalizmi shqiptar gjatë Luftës së Dytë Botërore nuk arriti të shndërrohej në një forcë antifashiste, gjë të cilën e bënë komunistët me ndihmën e Partisë Komuniste Jugosllave dhe Kominternit ( Intenacionalja Komuniste e drejtuar nga Stalini).

Të vetmit intelektualë nacionalistë shqiptarë që mbetën në anën e demokracive perëndimore në atë kohë ishin Noli e Konica dhe kjo, si duket, lidhet me faktin se ata jetonin në SHBA. Fishta dhe nacionalistët e tjerë shqiptarë nuk u afruan me fashizmin për arsye se besonin realisht në doktrinat e tij, por për arsye se besonin se kombi shqiptar do të jetonte më mirë në një rend botëror të udhëhequr prej tij. Ky ishte një vlerësim gjithsesi i gabuar dhe me pasoja të mëdha për shqiptarët, sepse, siç u tha më lart, këtë e shfrytëzuan komunistët, të cilët e morën pushtetin dhe e vazhduan edhe për një gjysmë shekulli tjetër dramën e shkëputjes së shqiptarëve nga Perëndimi, dramë me pasojat e të cilës vazhdojmë të jetojmë edhe sot e kësaj dite.

(Profesori i Universitetit të Prishtinës, Blerim Latifi)

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë