Loading…

Kosova pas marrëveshjes me Serbinë mund të zhgënjehet përsëri me 5 shtetet e BE’së dhe 4 të NATO’s

  • Nga

  • EKREM KRASNIQI

  • 09/09/2020 | 13:35

Kosova pas marrëveshjes me Serbinë mund të zhgënjehet përsëri me 5 shtetet e BE’së dhe 4 të NATO’s

A duhet Kosova që ta kushtëzojë nënshkrimin e marrëveshjes përfundimtare me Serbinë, nëse 5 shtetet e BE-së ( 4 prej tyre të NATO-s) nuk ia nënshkruajnë njohjen asaj në të njëjtën kohë, në të njëjtën ditë, në të njëjtën tavolinë në Bruksel (Paris apo Berlin)?


Shkruan Ekrem Krasniqi

Kosova edhe mund të arrijë një marrëveshje me Serbinë dhe pastaj do të pres për njohjet e pavarësisë së saj nga Greqia, Qipro, Rumania, Sllovakia dhe Spanja.

Pa këto njohje Kosova nuk mund të hyjë as në BE e as në NATO. Kosovës BE i ka thënë, dhe i thotë gjithnjë edhe sot, se pa marrëveshje me Serbinë nuk mund të bëjë hapat në rrugën e premtuar për hyrje në këtë organizatë. Kështu i thuhet edhe për hyrje në NATO.

Edhe Serbisë BE i thotë se pa marrëveshje me Kosovën ajo nuk do të mund të hyjë në organizatën në fjalë. Por, Serbia tashmë është shumë përpara Kosovës në rrugën drejt BE-së, sepse ajo është lejuar që të nis bisedimet e anëtarësimit.

Nëse Kosova e arrin një marrëveshje/kompromis me Serbinë, a do ta njohin këto shtete pavarësinë e saj ? A ka ndonjë garanti se nëse Kosova arrin marrëveshje me Serbinë, këto njohje do të ndodhin ?

Deri më tash, nuk ka pasur ndonjë përgjigje zyrtare nga këto shtete. Disa prej tyre do t’i kenë thënë zyrtarëve në Prishtinë : « të shohim ». Kështu thonë edhe në Komisionin Evropian.

Përgjigjen që e do Kosova tash për tash askush nga institucionet e BE-së nuk mund ta bëjë, e as nga 22 shtetet anëtare të cilat e kanë njohur Kosovën.

Paramendojeni situatën kur Kosova arrin marrëveshje me Serbinë, dhe ajo me letrën e marrëveshjes do të mbetej në dorë duke vrapuar nëpër kryeqytetet e vendeve të BE-së dhe NATO-s për t’u shpërblyer me njohje nga krejt shtetet anëtare.

Përgjatë kësaj pritjeje dhe këtij vrapi të Kosovës, Serbia do të vazhdojë që të hapë e të mbyllë kapitujt e bisedimeve për hyrje në BE dhe me marrëveshjen për Kosovën do ta mbyllë edhe kapitullin 35 i cili ka të bëjë me Kosovën. Ajo pastaj do të anëtarësohej në BE, e Kosovës do t’i bëheshin 6 shtete brenda BE-së që nuk e njohin.

Një skenar i këtillë i pritjes dhe lutjeve tashmë Kosovës po i ndodhë me çështjen e vizave.

Vendet anëtare e mandatuan Komisionin Evropian që të angazhohet për procesin e përmbushjes së kushteve për liberalizim të vizave. Kosova i plotësojë ato, madje dyfish më shumë për nga numri sesa që iu ishin kërkuar vendeve të tjera të rajonit. Por vizat ende nuk janë hequr.

Tash disa vende anëtare nuk pajtohen me Komisionin Evropian dhe thonë se Kosova ende nuk e meriton heqjen e vizave. Ironi dhe përbuzje e llojit të vet ndaj Kosovës.

Kështu mund t’i ndodhë Kosovës edhe nëse ajo e përmbush kushtin e marrëveshjes me Serbinë. 5 shtetet anëtare të BE-së, pra edhe 4 prej tyre në NATO, përsëri nuk do ta njihnin pavarësinë e saj, secila për arsye të tyre të ndryshme, dhe në këtë mënyrë ajo do të vazhdojë duke pritur.

Në këtë situatë Kosova vështirë se do të gjejë ndonjë adresë nëpër Evropë dhe 22 shtetet që e kanë njohur nga BE dhe 26 nga ato të NATO të cilat do ta ndryshonin mendjen e shteteve që nuk e njohin pavarësinë e saj.

Kësaj i thonë se Kosova mund të bëjë kompromis me Serbinë dhe rrezikon që të mbetet duke pritur Godonë e BE-së dhe Godonë e NATO-s.

Por, çfarë mund të bëjë Kosova për të mos u futur në këtë situatë ? Çfarë mund të bëjë Kosova për të provokuar garanti nga 5 shtetet e BE-së dhe 4 të NATO-s që të mos mbetet me marrëveshjen me Serbinë në dorë dhe pa njohje nga këto shtete ?

A duhet Kosova që ta kushtëzojë nënshkrimin e marrëveshjes përfundimtare me Serbinë, nëse në të njëjtën kohë, në të njëjtën ditë, në të njëjtën tavolinë në Bruksel (Paris apo Berlin) këto shtete të BE-së dhe NATO-s nuk ia nënshkruajnë asaj njohjen ?

Apo nëse Kosova e nënshkruan marrëveshjen me Serbinë, a duhet që parlamenti i Kosovës të mos e ratifikojë atë nëse më parë këto shtete nuk e njohin zyrtarisht pavarësinë e Kosovës ?

Në këto pyetje duhet përgjigjur dhe shqyrtuar seriozisht institucionet e Kosovës (qeveria, parlamenti dhe kryetari i vendit) dhe krejt partitë politike të vendit, në pushtet dhe opozitë.

Përvoja e vizave dëshmon se Kosova përsëri mund të zhgënjehet nga shtetet e BE-së dhe të NATO-s edhe më shumë sesa me çështjen e vizave.

Kësaj here Kosova duhet ngulur këmbë dhe t’i thotë BE-së dhe NATO-s: Nuk do të ketë nënshkrim dhe ratifikim të marrëveshjes me Serbinë pa njohje në të njëjtën kohë nga krejt shtetet anëtare të BE-së dhe të NATO-s. Garanti tjetër nuk ka.

(Autori është themelues i agjencisë të lajmeve dtt-net.com dhe gazetar në Bruksel)

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë