Loading…

Fundosja veneciane e Ilir Metës

  • Nga

  • BATON HAXHIU

  • 05/10/2019 | 12:46

Fundosja veneciane e Ilir Metës

lir Meta e ka një veti. Duke e shfrytëzuar mungesën e Gjykatës Kushtetuese, shkeljet e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë i manifeston me performancë publike. Mungesën e argumenteve kushtetuese – dhe për pasojë tentativën e tij për të bindur publikun se ai vepron në respektim të Kushtetutës – në paraqitjet e tij publike i zëvendëson me përsëritje të vazhdueshme të fjalëve “Kushtetutë”, “Atdhe”, “Demokraci”, “Gjak shqiptari”, me nënshkrim dekretesh të përcjellë me bërje shqiponje dhe mbajtje Kushtetute në duar.


Shkruan Baton Haxhiu

Ai nuk harron të theksojë se atë që e ka në dorë është i vetmi version zyrtar dhe se të tjerët, të cilëve për ndonjë moment mund të iu ketë shkuar mendja të dyshojnë në kushtetutshmërinë e veprimeve të tij, mund të mos jenë duke e lexuar versionin e saktë, e deri në shpallje të vetvetes Avni Rrustem e Mic Sokol, e cili do e mbrojë atdheun nga konspiracionistët vendorë e ndërkombëtarë. Në fund, e gjithë kjo performancë mbështetet edhe nga një premtim dorëheqjeje. Disa premtime dorëheqjeje me radhë… Deri në shkeljen e radhës.

Por, kjo veti e Ilir Metës reflekton një të metë esenciale. Performanca publike në mungesë të argumenteve kushtetuese në mbrojtje të kushtetutshmërisë së veprimeve të tij djallëzisht reflekton vetëdijen tij që është duke vepruar në shkelje të Kushtetutës.

Këtë të fundit e vërteton edhe metamorfoza e vazhdueshme e argumenteve politike që Ilir Meta përdor në mbrojtje të veprimeve të tij dhe dëshpërimi me të cilin ai, ekipi i tij ligjor dhe satelitët e plasuar në disa media, mundohen të përdorin argumente kushtetuese dhe ligjore. Këto të fundit, të njëanshme, të paqëndrueshme, të gabuara, inekzistente, që në mungesë të një Gjykate Kushtetuese u faktuan së fundi nga jo më pak se trupi këshillëdhënës më prestigjioz për çështje kushtetuese në kontinentin evropian e më gjerë – Komisioni i Venecias. Ky raport nuk është i rëndësishëm vetëm sepse konstaton tejkalimin e kompetencave kushtetuese të Presidentit të Republikës me nxjerrjen e Dekretit përmes të cilit ai i anuloi zgjedhjet e 30 qershorit. Kësaj çështjeje do t’i kthehem. Por ky raport është fillimisht i rëndësishëm sepse i jep Ilir Metës një mundësi – atë të mbajtjes së fjalës, të mbajtjes së premtimit të tij jo të parë, por të paktën të fundit, për t’u dorëhequr, dhe për pasojë, për të liruar institucionin e Presidentit të Republikës, duke i mundësuar këtij të fundit t’i kthehet rolit të vet kushtetues.

Çdo diskutim mbi vlerësimin e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë të veprimeve të bartësve të funksioneve publike dallon në mënyrë përmbajtjesore nga ai për vlerësimin e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë të veprimeve të Presidentit të Republikës. Ky i fundit, për dallim nga të gjithë të tjerët, është i veshur me petkun e përfaqësimit të unitetit të popullit, të të gjithit, jo vetëm atij që i shkon për shtati bindjeve politike të Ilir Metës dhe është i vetmi, betimi i të cilit për t’iu bindur Kushtetutës e ligjeve të vendit, rëndon mbi faqet e Kushtetutës e Republikës. Është Presidenti i një republike parlamentare, që përkundër kompetencave të kufizuara kushtetuese, reflekton simbolin e shtetit të së drejtës. Pa marrë parasysh bindjen e secilit në raport me veprimet politike të Ilir Metës, nuk është kontestuese tashmë, që Ilir Meta si politikan dhe Ilir Meta si President nuk qëndrojnë në raport të drejtë më tej. Ilir Meta si politikan, jo vetëm që ka rrënuar pavarësinë kushtetuese të Institucionit të Presidentit, duke përfaqësuar popullin shqipëtar njëanshëm, por edhe ka shkelur betimin kushtetues për të respektuar dhe vepruar konform dispozitave të Republikës së Shqipërisë. Institucioni i Presidentit të Republikës rrjedhimisht duhet të lirohet nga Ilir Meta, ose përmes mbajtjes se fjalës së tij për dorëheqje, ose përmes ndjekjes së rrugës për shkarkimin e tij, përmes institucioneve kushtetuese, Kuvendit të Republikës dhe Gjykatës Kushtetuese. E para, mbase do të i mundësonte Ilir Metës vazhdimin e rrugëtimit të tij si politikan. E dyta, do të i lejonte vetëm të pretenduarit e të bërit politikë, por përtej implikimeve në karrierën e tij politike, do t’i vinte Republikës së Shqipërisë njollën e panevojshme të një Presidenti të shkarkuar për shkelje kushtetute.

Se njëra nga këto rrugë është e paalternativë përfundimisht vërtetohet nga Komisioni i Venecias. Se Ilir Meta ka shkelur Kushtetutën faktohet nga po ky Komision. Se kjo nuk është shkelja e vetme kushtetuese e Ilir Metës, por vetëm e radhës, është po ashtu e qartë. Megjithatë, në mungesë të Gjykatës Kushtetuese dhe deri në themelimin e saj, është e vetmja shkelje kushtetuese deri më tani e saktësuar nga një institucion me reputacion ndërkombëtarë. Gjetjet e këtij të fundit e shënojnë fillimin e fundit të një Presidenti që në një konferencë për shtyp të mbushur plot dramë, me 10 qershor 2019, duke anuluar dekretin e vet për shpalljen e zgjedhjeve, shkeli Kushtetutën me të gjithë publikun shqiptar dëshmitar. Dëshmitarë ishin të gjithë po ashtu të mbylljes së kësaj performance publike me një simbol shqiponje. Shqiponja nuk dukej edhe aq krenare para një Kushtetute të Republikës së Shqipërisë të shkelur nga vet Presidenti i saj.

Debati lidhur me tejkalimin e kompetencave nga Ilir Meta ose jo është mbyllur në Venecia. Janë të kota tentativat e dëshpëruara për të grisur raportin për të gjetur nëse dhe ku ai ka përdorur fjalën shkelje, shkelje serioze, mungesë kompetence e tejkalim kompetence. Raporti i ka përdorur të gjitha këto, dhe një tentativë e tillë nuk është asgjë tjetër përpos vazhdimësi të vesit të Ilir Metës e të ekipit të tij ligjor të i referohen neneve kushtetuese në izolim nga të gjitha tjerat, po kuptohet në versionin e vetëm të saktë të Kushtetutës që vetëm ata kanë. Raporti i Komisionit të Venecias sqaron përfundimisht dhe saktësisht dy çështjet më kontestuese në përditshmërinë e diskutimet politike e juridike në Republikën e Shqipërisë: vlefshmërinë e zgjedhjeve të 30 qershorit dhe kundërkushtutshmërinë e dekretit të Presidentit për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit.

Se bojkoti i Kuvendit dhe i zgjedhjeve lokale ishte zgjidhje vetanake e opozitës dhe se ky bojkot nuk afektonte funksionimin e Kuvendit dhe mbajtjen e zgjedhjeve lokale, ishte konfirmuar fillimisht nga Raporti i Progresit të Komisionit Evropian për Shqipërinë, dhe i cili për më tepër, i rekomandoj Këshillit Evropian hapjen e negociatave me Shqipërinë. Kjo nuk e pengoj Presidentin e Republikës që një javë para mbajtjes së takimit të Këshillit të Ministrave, të ndërmarrë hapin e paprecedent, të konfirmuar nga vet Komisioni i Venecias, për anulim të njëanshëm dhe pa kompetencë të zgjedhjeve vendore. Për tu mos mjaftuar me kaq, një javë para zgjedhjeve të 30 qershorit, dhe në mungesë aftësie për të menaxhuar dëshpërimin se zgjedhjet lokale do të mbaheshin edhe përkundër dekretit të tij, Ilir Meta, iu drejtua OSBE-së, duke pasqyruar Republikën që ai përfaqëson në një platformë ndërkombëtare, në rastin më të mirë, në mënyrën më të errët, në kërkim të shpëtimit të dekretit të tij jokushtetues nga një organizatë, të cilën në fitoren më të madhe diplomatike të Shqipërisë, pas anëtarësimit të NATO, ajo është në radhë të udhëheq dhe përfaqësoj. Thirrja e tij nuk mori përgjigje. Misioni i OSBE/ODIHR-it jo vetëm që vëzhgoj zgjedhjet në Shqipëri, por edhe nxori raportin, i cili përkundër vërejtjeve, konfirmoi vlefshmërinë e zgjedhjeve të 30 qershorit. Në pamundësi të pengoj mbajtjen e zgjedhjeve vendore, kundër të cilave përtej dekretit jokushtetues, u angazhua edhe në cenimin e rrugëtimit evropian të Shqipërisë, Ilir Meta nxori edhe një dekret të ri duke shpallur zgjedhje vendore në Republikën e Shqipërisë vetëm 3 muaj pasi zgjedhjet e 30 qershorit të ishin mbajtur në të gjithë Shqipërinë dhe vetëm 1 javë para takimit të Këshillit Evropian e i cili do të vendos mbi hapjen e negociatave për Shqipërinë. Si për ironi, dekretit të Presidentit për mbajtjen e zgjedhjeve të 13 tetorit, OSBE i referohet, në një fjali të vetme. Për Komisionin e Venecias nuk ekziston.

Më me rëndësi, çdo tentativë për të manipuluar më vlefshmërinë e zgjedhjeve, mori fund përmes Raportit të Komisionit të Venecias, dhe i cili, duke konstatuar se zgjedhjet e 30 qershorit janë të vlefshme e legjitime, thekson qartësisht se bojkoti i opozitës ka qenë zgjidhje vetanake dhe vullnetare e partive opozitare në Republikën e Shqipërisë dhe nuk mund të i atribuohet shtetit; se bojkotet e zgjedhjeve, nuk mund të rezultojnë në anulim të tyre, por përkundrazi mund të rezultojnë në mundësi për reformë elektorale; se anulimi i zgjedhjeve në fakt afekton të drejtat zgjedhore, përkundër tentativave të Ilir Metës për të argumentuar se anulimi i zgjedhjeve qenka në mbrojtje të të drejtave zgjedhore, dhe në mënyrë specifike, fuqimisht rrëzon tentativat e Presidentit për të argumentuar se vendimi i tij bazohet në vendime të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e njërit prej të cilëve, pasi që ekipi i tij i dëshpëruar ligjor gabimisht ia kishte gjetur, iu referua Presidenti me entuziazmin e një gjetje spektakulare para Komisionit Hetimor të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.

Me kaq u mbyll çështja e vlefshmërisë së zgjedhjeve të 30 qershorit, sepse edhe pse Gjykata Kushtetuese do të thotë fjalën e fundit, dhe e cila do të ishte e paprecedentë nëse do të injoronte gjetjet e Komisionit të Venedikut, politikisht, një gjë është e qartë dhe e rëndësishme për Ilir Metën – që zgjidhet e 30 qershorit janë mbajtur përkundër dekretit të tij për anulimin e tyre, dhe që zgjedhjet e 13 tetorit nuk do të mbahen përkundër dekretit të tij për shpalljen e tyre. Dy dekrete pa asnjë efekt të Institucionit të Presidentit të Shtetit, i shndërron ato në dekrete personale të Ilir Metës të nxjerra duke përdorur Zyrën e Presidentit të Shtetit. Por, përgjegjësia për nxjerrjen e tyre nuk mund të zvogëlohet duke iu atribuuar vetëm Ilir Metës si politikan, por ngërthen në vetvete edhe përgjegjësinë e tij si President Shteti, dhe cili, në një sistem parlamentar i nënshtrohet kontrollit të Kuvendit dhe të Gjykatës Kushtetuese. Mungesa e kësaj të fundit nuk e liron Ilir Metën nga vlerësimi i kushtetutshmërisë së veprimeve të tij dhe bartja e përgjegjësisë për to. Deri në themelimin dhe thënien e fjalës së saj, fjalën e ka thënë Komisioni me reputacionin më të lartë në drejtësinë kushtetuese – Presidenti i Republikës së Shqipërisë, në nxjerrjen e dekretit për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit, tejkaloi kompetencat e tij kushtetuese.

Përtej këtij konstatimi, raporti i Komisionit të Venecias, i jep fund gjithashtu tentativave për të nxjerrë në mënyrë të vazhdueshme argumente politike, sepse kushtetuese dhe ligjore nuk kishte, duke përfshirë një raport voluminoz të dorëzuar më shumë krenari Komisionit të Venecias, e të cilat, ky i fundit, i kundërargumentoi një nga një. Më e bukura e këtij raporti, është që i jep fund performancave ditore të Presidentit dhe avokatëve të tij, duke u thirrur në precedentët e mëparshëm mbi shtyrjen e zgjedhjeve nga Presidentët paraprak të Republikës dhe rrezikut të madh nga një konflikt civil e deri të djegia e Parlamentit të Shqipërisë, e të cilin Ilir Meta e shpëtoi duke i anuluar zgjedhjet. Komisioni i saktësoi qartësisht dallimet në mes rasteve të mëparshme për shtyrje zgjedhjesh në Republikën e Shqipërisë, duke i hedhur poshtë të gjitha argumentet se Ilir Meta nuk kishte bërë asgjë të jashtëzakonshme duke i anuluar zgjedhjet pa asnjë kompetencë kushtetuese dhe ligjore, dhe për më tepër, në kundërshtim me to. Ndërsa, i rikujton Presidentit se në Republikën e Shqipërisë nuk ishte e shpallur gjendja e jashtëzakonshme. Kjo e fundit nuk nënkupton një kualifikim individual mbi një krizë e cila në vlerësimin subjektiv mund të ketë epitetin e të jashtëzakonshmes, por, siç sqaron Komisioni, nënkupton shpalljen e një gjendje të jashtëzakonshme përmes procedurës kushtetuese e cila, për dallim prej Kushtetutës të cilën mund të ketë në posedim Ilir Meta, në Republikën e Shqipërisë shpallet nga Kuvendi, më kërkesë të Këshillit të Ministrave. Kjo Kushtetutë gjithashtu, siç thekson Venecia, në përputhje me praktikat evropiane, përcakton se zgjedhjet mund të mos mbahen vetëm në rast të gjendjes së jashtëzakonshme të shpallur përmes procedurës kushtetuese.

Komisioni i Venecias nuk rrëzon President. Komisioni i Venecias nuk zëvendëson parlamente e Gjykata Kushtetuese të shteteve sovrane. Komisioni i Venecias jep opinione mbi çështjet kushtetuese e të cilat i janë adresuar. Pesha e këtyre opinioneve qëndron në reputacionin ndërkombëtarë dhe të pakontestueshëm të Venecias. Ajo në pyetjen nëse Presidenti ka kompetencë të anulojë zgjedhje në Shqipëri u përgjigj negativisht. Arsyetoi se Presidenti i Republikës së Shqipërisë, veproi në kundërshtim dhe tejkalim të kompetencave të tij kushtetuese, duke theksuar qartë se një kompetencë e tillë nuk është e Presidentit, madje as në rrethana të gjendjes së jashtëzakonshme. Përtej këtij konstatimi, Venecia sqaroi se vendimi politik për propozimin e shkarkimit të Presidentit është në kompetencën e Kuvendit të Shqipërisë, ndërsa konstatimi nëse shkelja kushtetuese e Presidentit është serioze dhe rrjedhimisht shkarkimi i tij në kompetencën e Gjykatës Kushtetuese.

Në qershor të këtij viti, Ilir Meta nxori dy dekrete. Asnjëri nuk u zbatua. Moszbatimi i dekreteve kundërkushtetuese reflekton qëndrueshmërinë e Institucionit të Presidentit të Shtetit brenda sistemit kushtetues të një republike parlamentare me kontrolle e balancime, përkundër Ilir Metës, politikanit që përkohësisht e përfaqëson atë. Por, ky moszbatim njëkohësisht reflekton mungesën e kredibilitetit dhe fuqisë politike të Ilir Metës, për të vazhduar me përfaqësimin e këtij Institucioni. Dorëheqja e Ilir Metës, nuk do të rezultonte vetëm në mbajtjen e fjalës së tij të dhënë publikisht nga po ajo zyrë, por do të lironte Presidencën nga veprimet pasuese degraduese e të cilat janë të paevitueshme në rrethin vicioz në të cilin u vendos vet Ilir Meta.

Pesha e Presidencës është e rëndë.

Nuk mund të bartë njollën e shkeljeve kushtetuese dhe as veprimeve të orkestruara kundër kundërshtarëve politik e interesave qenësor të Republikës, përfshirë proceset integruese dhe kredibilitetin e saj në arenën ndërkombëtare në shkëmbim të përfitimit të poenëve politikë. Ai duhet të lirojë vetveten e tij nga petku i përfaqësimit të unitetit të popullit dhe të paktën të shërbeje si shembull i dhënies së një dorëheqje morale.

Në këtë aspekt do të i shërbente një shembull, jo më larg, se nga Republika e Kosovës. Në vitin 2010, kur Kosova kishte vetëm dy vjet shtet, Gjykata Kushtetuese e saj, kishte konstatuar se Presidenti i atëhershëm Fatmir Sejdiu, kishte shkelur Kushtetutën duke mbajtur në të njëjtën kohë pozicionin e Presidentit të Republikës dhe atë të Kryetarit të partisë, përkundër faktit që këtë të fundit e kishte ngrirë dhe rrjedhimisht nuk e kishte ushtruar në asnjë mënyrë gjatë mandatit të tij si President i Republikës. Bazuar në Kushtetutën e Kosovës, dhe për dallim nga Kushtetuta e Shqipërisë, vendimi i Gjykatës Kushtetuese vjen para votimit në Kuvend për shkarkimin e Presidentit. Presidenti Sejdiu, edhe përkundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese, do të mund të priste vendimin politik të Kuvendit, të cilit do të i duheshin 2/3 e të gjithë deputeteve për të votuar për shkarkimin e tij, e që bazuar në strukturën politike të Kuvendit të Kosovës në atë kohë kishte shumë mundësi të mos ndodhte. Megjithatë, Presidenti Sejdiu, nuk premtoi dorëheqje. Ai dha dorëheqje në ditën që u publikua vendimi i Gjykatës, duke theksuar se nuk mund të vazhdonte të ushtronte rolin e Presidentit kur mbi të rëndonte pesha e një shkeljeje kushtetuese.

Është e vërtetë që nuk ka një vendim Gjykate kundër Ilir Metës. Por është e vërtetë që ka një mendim të Komisionit të Venecias. Ilir Meta, mund të pret edhe verdiktin e Gjykatës Kushtetuese, duke rrezikuar që t’ia japë Institucionit të Presidentit të Shtetit plagën e të paturit një President të shkarkuar për shkelje kushtetuese.

Më keq, deri atëherë do të jemi dëshmitarë të shumë të metave tjera të Metës, i cili në dëshpërim për dalë nga situata të cilën e ka krijuar vet, ka rrezik të shpallë edhe Komisionin e Venecias si pjesë përbërëse të rrjetit vendor e ndërkombëtar të cilët janë bashkuar në luftën konspiracioniste kundër tij dhe do të vazhdojë, plot zell, të interpretojë versionin e Kushtetutës e të cilin vetëm ai ka.

(Ky tekst është shkruar nga publicitsti dhe drejtori i televizionit Klan Kosova)

Më të fundit
...
  • 23/10/2019 | 23:42
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë