Loading…

Feronikeli kërkon që FBK’ja të anuloj vendimin për largim nga Superliga

  • 22/05/2020 | 19:57

Feronikeli kërkon që FBK’ja të anuloj vendimin për largim nga Superliga

Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) të premten ka publikuar vendimin e 19 majit për plasman të skuadrave.


Në këtë vendim është bërë e ditur se Feronikeli e Lipjani largohen nga Superliga e Kosovës në basketboll, ndërsa Trepça do të luajë në plejaut.

Por vendimi është kundërshtuar nga Feronikeli i Drenasit, që ka kërkuar shfuqizim të tij.

Në momentin kur është ndërprerë kampionati, Feronikeli ishte në pozitën e tetë me 29 pikë. Kishte dy pikë më pak se Trepça, që renditet e shtata dhe tri më shumë se Lipjani, që është i fundit (9).

FBK-ja ndërkohë ka anuluar edicionin dhe nuk ka shpallur kampionin. Por për plasman, përkatësisht për rënie dhe promovim ka marrë për bazë tabelën me rastin e ndërprerjes së edicionit.

Kjo ka bërë që nga Superliga të largohen dy të fundit, Feronikeli e Lipjani. Në elitë do të promovohet Vëllaznimi, kurse AS Prishtina do të luajë në plejaut me Trepçën.

Superliga këtë edicion për shkak të përfshirjes së vonshme të Pejës, numëroi nëntë skuadra. Edicionin e ardhshëm do t’i ketë tetë skuadra, në bazë të vendimit.

Te Feronikeli kanë vlerësuar se vendimi është i padrejtë dhe i papranueshëm. Nga ky klub kanë bërë të ditur se kanë caktuar takim me kryetarin e FBK-së, Arben Fetahu.

“Shpresojmë që do të reflektoj pozitivisht drejt shfuqizimit të këtij vendimi pa asnjë kriter, të padobishëm dhe aspak të arsyeshëm. Sezoni 2019\2020 është anuluar kuturu, duke mos shpallur kampion e as duke mos llogaritur pasojat. Në këtë rast nuk i jep Federatës e askujt tjetër të drejtë të marr vendime që dëmtojnë basketbollin dhe klubet në përgjithësi”, thuhet në komunikatë.

“Shpresojmë që akterët të reflektojnë dhe të mos lejojnë që situata e krijuar nga pandemia të rëndohet akoma më shumë, me vendime të pamatura. Bëjmë thirrje që ky vendim të shfuqizohet menjëherë”.

Feronikeli ka pasur vazhdimisht në përbërje lojtarë amerikanë dhe jo rrallë u ka bërë telashe skuadrave të kreut. Por mbeti në pozitë të parafundit dhe në bazë të vendimit, edicionin tjetër do të luajë në kategorinë e dytë.

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë