Loading…

A ishte vota e 6 tetorit, votë kundër establishmentit?

  • Nga

  • AVDI SMAJLJAJ

  • 23/10/2019 | 15:52

A ishte vota e 6 tetorit, votë kundër establishmentit?

Profesori i Shkencave Politike, Avdi Smajljaj ka shkruar një kolumne ku flet për zgjedhjet e 6 tetorit që u mbajtën në Kosovë, daljen e qytetarëve në votime, vota e tyre për ndryshim të Kosovës duke ndëshkuar Qeveritë e kaluara.


Shkruan – Avdi Smajljaj 

Vota e 6 Tetorit njihet për një sërë dallimesh nga zgjedhjet paraprake, e cila ka ngjallur një entuziazëm në opinionin e gjerë qytetarë të paparë që nga paslufta. Sikur është krijuar ndjenja, që më në fund votuesi (shpesh duke iu referuar atij si sovrani) foli dhe ndëshkoj çoroditjen politike të krijuar për dy dekada, në krijimin e së cilës ka hise edhe vetë votuesi (për rolin e votuesit në çoroditjen politike në një shkrim tjetër). Gjithashtu, vota e 6 Tetorit, arriti të mobilizoj numër të lartë të votuesve dhe të prodhoi rezultate për ndryshime radikale në skenën politike, me premisa të transformimit sistemor. Kjo shkallë e mobilizimit të votuesve dhe ky rezultat, prima facie duket të jetë sjellje antiestablishmente e votuesit, e manifestuar me votë. Mllefi dhe energjia negative ndaj establishmentit, e gjeneruar dhe shtresëzuar për dydekada, duket sikur është derdhur me 6 Tetor, si revanshim i votuesit ndaj papërgjegjshmërisë dhe arrogancës politike, si vecori të establishmentit politik në Kosovë që nga paslufta. Fituese të votave në këto zgjedhjeve dolën dy partitë e mëdha VV dhe LDK, per të cilat sikur është krijuar një pritje nga votuesitë, për të zëvendësuar substancialisht establishmentin aktual, duke ua mundësuar bërjen e qeverisë dhe qeverisjen përmes së cilës pritet edhe ndryshimi.

Megjithatë, jo cdo herë ndryshimet në qeveri kanë sjellur edhe ndryshimet e pritura, qoftë për shkak të vetë partive që kanë fituar, apo për shkaqe tjera që janë jashtë mundësive të tyre për veprim, gjë që na shtynë drejt një skepticimzi dhe ngritjes së pikëpyetjeve për përmbushjen e të priturave që kanë votuesitë e 6 Tetorit. A lë të kuptohet fitorja e këtyre partive si vendosje e një establishment të ri? A janë votat për këto dy parti vota kundër establishmentit?

Janë disa indikatorë përmes së cilëve mund të prognozohet me probabilitet të shkallës së lartë mundësia e ndryshimit të pritur nga votuesit dhe zëvendësimit të establishmentit aktual më një establishment tjetër, të ndërtuar mbi vlerat demokratike, liberale, të drejtësisë, të mundësive të barabarta, meritokracisë, dhe vlerave tjera për të cilat normativisht është përcaktuar shoqëria kosovare me synim integrimin në BE.

Nëse nisemi nga argumenti që mos të qenurit pjesë e pushtetit është kusht i domosdoshëm, por jo i mjaftueshëm, për tu konsideruar si establishment i ri, ateherë VV e plotëson pjesërisht këtë kusht, ndërsa LDK nuk e plotëson fare. Megjithatë, për të kuptuar votën e 6 tetorit, si a është votë antiestablishment, është e nevojshme të elaborohet cka e konstituon establishmentin në Kosovën e pasluftës, cila është substanca dhe akterët aktiv e pasiv të tij, të cilët në një mënyrë apo tjetër e kanë formësuar edhe substancialisht estabslishmentin aktual.

Substancialisht, establishmenti në Kosovë, që nga paslufta është formësuar rreth vlerave të coroditjes dhe papërgjegjshmërisë politike, mungesës së llogaridhënjes politike, korrupcionit, krimit të organizuar, shkallës së lartë të informalitetit, institucioneve të reja e të dobëta, vështirësive në sundimin e ligjit, dështimit në politika publike sidomos në arsim dhe shërbime shëndetësore, mendësisë së zhvatjes së të mirës publike për interesa private, nepotizmit, favorizimit, demokracisë së brishtë, deindustrializimit, shpopullimit si rezultat i ikjes së njerëzve në vende tjera, etj. Këto janë vlerat socio-politike e ekonomike që e karakterizojnë establishmentin aktual.

Është e rëndësishme të shtohet, se në krijimin e këtyre vlerave rol udhëheqës ka pasur klasa politike, kryesisht partitë politike, të cilave legalisht e politikisht i është besuar përgjegjësia kryesore për tu përpjekur në zhvillimin e vlerave demokratike, mirëqenies, zhvillimit ekonomik, etj. Përpjekje e cila nuk u bë asnjëherë, madje as në nivelin minimal. Përkundrazi, duke qene të mveshura me pushtet dhe duke e shfrytëzuar atë, partitë patën rol kyc në zhvillim e vlerave të kundërta me ato për të cilat shoqria jonë është përcaktuar dhe ka pritur në vazhdimësi, të paktën si makro pritje. Këto vecori e formësuan establishmentin aktual, e ndaj të cilit u revanshuan votuesit me 6 Tetor. Është e kuptueshme, që përveç partive, kontribut të madh në krijimin e këtij establishmenti patën edhe shoqëria civile, mediat, dhe akterët tjerë relevant, përfshi edhe vet votuesin, sjellja dhe qëndrimet e të cilit të materializuara me votë, legjitimuan politikisht punën e klasës politike dhe këtë establishment.

LDK si fituese e këtyre zgjedhjeve, ka qenë vazhdimisht pjesë e pushtetit qendror, me përjashtime të vogla në qeveri, ndërsa vazhdimisht forcë signifikante në parlament, si pushtet legjislativë. LDK ka pasur presidentë, kryeministra, dhe ka udhëhequr numër të madh të ministrive dhe bordeve menaxhuese. Kjo ishte një mundësi dhe hapësirë e mirë për LDK për të zhvilluar vlerat që sot ka establishmenti dhe këtë coroditje politike, duke filluar nga papërgjegjshmëria politike, korrupcioni, krimi i organizuar, dështimi në politika publike, e deri te migrimi i popullatës. Nga shumë ministri që ka udhëheq LDK kohë pas kohe, asnjëra nuk ato nuk shquhet për performancë. Sa për ilustrim, të përmendim, ndër të tjera, arsimin në kohën kur kjo ministri është udhëhequr nga LDK. Besoj se kjo është e mjaftueshme si tregues, se a ishin votat e 6 Tetorit fundi i establishmentit aktual në Kosovë. Mos të përmendim, ministrin e Jashtme, të Brendshme, dhe ministri tjera të udhëhequra nga kjo parti. Për më tepër, LDK ka qeverisur vazhdimisht me shumë komuna, gjendja e të cilave lenë shumë për të dëshiruar, dhe të cilat pasqyrojnë shumë pastër establishmentin aktual në Kosovë.

Një indikator tjetër i rëndësishëm është edhe programi politik. Programi i LDK i paraqitur në fushatë është konfirmim i vazhdimit të establishmentit aktual.  Vizioni i vetëm që kishte bartësja e listës së LDK në fushatë, ishte pozicionimi kundër Thaçit dhe Veselit. Vizioni ky shumë i varfër, në krahasim me nevojat dhe sfidat që ka vendi dhe qytetarët, dhe për vizionin që duhet të kenë udhëheqësit e një vendi serioz. Ky vizion, nuk është vizion as për cilësi në arsim, as për zhvillim ekonomik, as për mirëqenie, as për sundim të ligjit, as për liri, as për demokraci, as për drejtësi. Kjo rikonfirmon vazhdimësinë e kontributit të LDK në establishmentin aktual dhe hedh poshtë hipotezën se vota e 6 Tetorit ishte votë antiestablishment. LDK nuk mund të përvidhet dhe të shesë vetën sikur është krijuar sot, dhe nuk bartë përgjegjësinë për atë që i ka ndodhur Kosovës për dy dekada. Nëse kjo ndodh, atëherë kjo reflekton shkallën e lartë të naivitetit të votuesit në Kosovë, përfshi edhe votuesitë e 6 Tetorit.

Ndërsa, lista zgjedhore, ku janë njerëzit që do i bëjnë politikat e vendit, është indikatori tjetër i rëndësishëm, për të parë se a është bërë ndryshimi. Me shumë pak përjashtime, lista e LDK është e stërmbushur me fytyra të kriminalizuar, të korruptuara, e me zhvatës të pushtetit, disa herë pas herë, e disa vazhdimisht, por ajo është e dukshme në listën e LDK dominojnë vlerat e establishmentit të aktual. Madje, pa pasur nevojë për të hulumtuar thellësisht përvojën e kandidatëve, vetëm në shikim të parë vërehen ish ministra zhvatës, në ministritë e të cilëve ka lulëzuar krimi e korrupsioni, nepotizimi e favorizimi, por mbi të gjitha kanë dështuar në përmbushjen e objektivave politike që kanë pasur. Aty sheh, edhe intelektual të të vetë-zgjedhur e vetëshpallur e vetë-konsideruar, pa asnjë vlerë shkencore, njerëz me grada shkencore fiktive që nuk njihen përtej Morinës e Merdares, ish deputet që i kanë kontribuar këtij establishmenti, etj. Kjo listë është indikator i fuqishëm se a është ndërruar establishmenti në Kosovë me 6 Tetor apo jo. Ti presësh nga kjo listë ndryshimin e establishmentit, i ngjanë pritjes së borës në muajin gusht.

Ndërsa, sa i përket VV, nëse e i referohemi programit dhe listës, si indikator potencial të ndryshimit, atëherë aty shohim shumë kandidatë që ndajnë vlerat anti demokratike e anti liberale të establishmentit aktual. Madje shumë prej tyre individualisht kanë qenë pjesë aktive e establishmentit. Edhe programi zgjedhor aktual, i pa zbërthyer kështu si është, dhe i vetëmjaftuar me vetëm disa pika të atypëratyshme terapeutike, jo sistematike e jo konsistence, nuk ngjallë shpresën reale që establishmentit aktual i erdhi fundi me 6 Tetor. Krahas, kësaj VV ka qeverisur në nivel lokal, ku nuk është dalluar nga qeverisjet e partive tjera, gjë që mund të bartet edhe ne qeverisjen e nivelit qendror.

Krahas asaj që u përmend më lartë, ajo që është e padiskutueshme, me 6 Tetor, është bërë ndryshimi i partive në pushtet. Por, se ka ndërruar establishmenti është e paqëndrueshme. Këtë do ta dëshmoj puna qeverisë aktuale shumë shpejt, duke nisur nga hapat e parë. Ndryshimet e establishmentit, paraprakisht kërkojnë ndryshim vlerash, gjë që që në Kosovë nuk ka ndodhur. Vota e 6 Tetorit ishte votë për të ndryshuar establishmentin, votë e cila nuk do të materializohet për aty ku është synuar. Kjo votë ndryshoj pushtetin, por jo edhe establishmentin. Uroj që të mos jetë hera e fundit që mllefi qytetarë i akumuluar për një kohë gjatë të demonstrohet përmes votës.

(Kjo kolumne është shkruar enkas për Gazeta Metro nga profesori i Shkencave Politike, Avdi Smajljaj)

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë