Loading…
Ky është izraeliti i arrestuar në Qipro, për trafikim të organeve në Kosovë
  • 06/01/2018 | 22:35

...

Izraeliti Moshe Harel, është arrestuar në Qirpro, për trafikim të organeve në Kosovë, në rastin ‘Medikus II’.


Mediat ndërkombëtare kanë raportuar gjerësisht për këtë lajm, të bërë të ditur nga Policia e Kosovës, pasi izraeliti Harel ishte i kërkuar edhe nga Interpoli.

Njerëzit e varfër nga zonat e Evropës Lindore dhe Azisë Qendrore dyshohet se u sollën në klinikën Medicus, pasi u siguruan se do të merrnin deri në 15,000 euro për një veshkë të tyre.

Përfituesit, kryesisht izraelitë, do të paguanin deri në 100,000 euro për organet që do t’i transplatonin në trupin e tyre. Disa donatorë kurrë nuk kanë marrë ndonjë para.

Skandali i organeve erdhi në dritë në 2008 pasi një burrë turk, veshka e të cilit u hoq, u gjet i sëmurë rëndë në aeroportin e Prishtinës.

Policia bastisi klinikën, e cila u mbyll pas skandalit.

Në vitin 2013, një gjykatë e udhëhequr nga gjyqtarë të EULEX’it dënoi pesë mjekë kosovarë deri në tetë vjet burg për trafikim organesh. Ata kanë mohuar çdo keqbërje.

Prokurorët thanë në kohën e gjykimit se donatorët, organet e të cilave u hoqën ilegalisht, mbetën pa kujdes të duhur mjekësor dhe u trajtuan “si mbeturina”.

Mjeku 68 vjeçarë, Moshe Harel, që ka lindur në Turqi, por me kombësi Izraelite, dyshohet për trafikim të organeve në Kosovë, ndërsa  që ka më shumë se 7 vite që është në kërkim nga autoritetet e sigurisë.

Ndryshe, aktakuza  për këtë rast ishte ngritur me 10 Qershor 2011, nga prokurori i EULEX-it, Jonathan Ratel, i cili kirurgun turk, Yusuf Ercin Sonmez, e ngarkonte me akuza për trafikimin me njerëz, krimin e organizuar  dhe ushtrim të paligjshëm të veprimtarisë mjekësore, ndërsa izraelitin Moshe Harel për trafikim të njerëzve dhe krim të organizuar. Rastin e  arrestimit e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës, përmes zëdhënësit të saj Bakim Kelani.

“Policia e Kosovës posedon informacione se në bazë të një urdhërarresti ndërkombëtar, ditë më parë në Qipro është arrestuar personi i dyshuar (M.H.), i cili ka qenë në kërkim nga viti 2010”, ka thënë Kelani.

Ai ka bërë të ditur se lidhur me ekstradimin e tij do të merren autoritetet të tjera kompetente, mirëpo ende nuk dihet nëse i njëjti do të ekstradohet në Kosovë apo Rusi, pasi që po ashtu është në kërkim edhe nga ky shtet. /gazetametro.net

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.
Kontakti:
Tel: +386 49 576 111
e-mail: info@gazetametro.net
marketing@gazetametro.net
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë